Federata e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim (FFPBB), në Shqipëri u themelua në 24 nëntor 1996 në një ceremoni të organizuar në Hotel Tirana International, ku morën pjesë rreth 200 përfaqësues nga fusha e politikës, artit, akademisë, OJQ, besimeve fetare dhe shoqërisë civile. Fjala kryesore e ceremonisë inauguruese ishte “Në Kërkim të Origjinës së Universit”, fjalim ky i dhënë nga Rev. Sun Myung Moon – themeluesi i saj, në takimet inauguruese në Nju York dhe në shumë vende të botës.

Drejtuesi i parë i Federatës së Familjes për Shqipërinë u emërua Z. Byung Chul Kim, nga Koreja e Jugut, me asistencën e përfaqësuesve nga Amerika, Koreja e Jugut, Italia, Japonia dhe Shqipëria.

Fillimisht aktiviteti i FFPBB u përqendrua në Tiranë ku u afruan njerëz të të gjitha moshave për të përqafuar idealin e familjes me në qendër Zotin dhe rrugën e re të jetës së besimit që prezantonte Parimi Hyjnor, që është edhe ideologjia udhëheqëse e Federatës së Familjes. Parimi Hyjnor është përkthyer në shqip në po atë vit.

Në vitin 1997, janë organizuar disa Ceremoni të Bekimit të Shenjtë, për çiftet e martuara në Tiranë, Krujë, Elbasan, Shijak, Durrës, Lushnje, Vlorë, Korçë, Laç, etj duke bekuar jo vetëm pjesëmarrësit në këto ceremoni por gjithë kombin shqiptar, i cili vuante nga revolta civile.

Gjatë një takimi zyrtar në vitin 1997, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Rexhep Mejdani, vlerësoi punën dhe mbështetjen morale e shpirtërore që FFPBB u dha rreth 65,000 familjeve shqiptare që morën bekimin gjatë asaj periudhe të vështirë që po kalonte vendi. Gjithashtu ai pranoi të merrte bekimin e shenjtë duke iu bashkuar punës së FFPBB për restaurimin e vlerave të familjes dhe idealit të familjes së fortë dhe të shëndetshme.

Në vitin 1999, me iniciativën e një grupi misionarësh nga Tirana, hapet dega e FFPBB në Vlorë, e cila më pas u zhvillua me anëtarët nga Vlora për të vazhduar deri më sot, duke u bërë dega më e vjetër pas Tiranës.

Në Korrik 1999, Z. Byung Chul Kim përfundon misionin e tij në Shqipëri dhe Z. Arben Camani emërohet drejtuesi i FFPBB Shqipëri, duke u bërë kështu drejtuesi i parë shqiptar i kësaj organizate.

Nga viti 1999 – 2003, janë organizuar disa seminare kombëtare 3 ditore, 5 ditore, 15 ditore në Vlorë, Krujë dhe Durrës me pjesëmarrjen e rreth 1000 të rinjve.

Në Shkurt të vitit 2000, rreth 250 shqiptarë, çifte të vjetër e të rinj, udhëtuan drejt Koresë së Jugut, të sponsorizuar nga zyra botërore e FFPBB, për të marrë pjesë në Ceremoninë Ndërkombëtare të Bekimit që u mbajt në stadiumin olimpik të Seulit.

Në 26 maj 2000, bashkëthemeluesja e FFPBB Ndërkombëtare, Dr. Hak Ja Han Moon, viziton për herë të parë Shqipërinë në kuadër të një turneu botëror me temë: “Rruga e Njerëzimit dhe e Gjithë Botës në Ditët e Fundit”. Mesazhi i rastit u dha në Pallatin e Kongreseve në praninë e 2500 mbështetësve, mes të cilëve personalitete të larta të politikës, akademisë, trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe përfaqësuesve nga zyra e Presidentit.

Në Pranverë të vitit 2001, një delegacion i përbërë nga ministra të qeverisë, parlamentarë dhe akademikë të shquar shqiptarë, u ftua për një vizitë në Korenë e Jugut, për të parë nga afër projektet, punën dhe arritjet e Fderatës së Familjes dhe themeluesve të saj.

Në vitin 2001 hapen dy degë të reja të Federatës së Familjes në qytetet e Korçës dhe Elbasanit.

Për dy vite rresht, Shkurt 2001 dhe 2002, janë organizuar dy Ceremoni Bekimi për familjet shqiptare në bashkëpunim me TV Klan, duke i transmetuar këto ceremoni për publikun e gjerë shqiptar.

Në shtator 2002, në kuadër të një projekti evropian për Ballkanin, me mbështetjen e vullnetarëve të huaj dhe shqiptarë, u hapën disa degë të reja të FFPBB në Shkodër, Burrel, Durrës, Lushnje, Fier dhe Gjirokastër. Kjo periudhë ka qenë e mbushur me seminare të Parimit Hyjnor dhe vlerave themelore, ku kanë marrë pjesë qindra të rinj të zgjedhur nga këto qytete.

Në vitin 2003, me mbështetjen financiare të themeluesve të Federatës së Familjes, Prindërve të Vërtetë, u ndërtua Qendra e Trajnimit, në Mullet të Tiranës. Qendra e trajnimit ka një kapacitet për të trajnuar 100 vetë njëherësh dhe aty janë organizuar thuajse të gjitha seminaret kombëtare e Federatës së Familjes nga viti 2003 deri më sot.

Në 30 tetor 2005, në kuadër të një turneu botëror për inaugurimin e Federatës së Paqes Universale, Reverend Sun Myung Moon dhe bashkëshortja e tij, Prindërit e Vërtetë, vizituan Shqipërinë dhe u pritën nga Presidenti i Repubikës, Sh. T. Alfred Moisiu dhe Kryeministri Prof. Dr. Sali Berisha. Gjithashtu ata dhanë fjalimin me temë “Familja Ideale e Zotit, Model për Paqen Botërore”, në Pallatin e Kongreseve ku u pritën me mjaft entuziazëm nga një publik me 3000 vetë nga e gjithë Shqipëria.

Pas vizitës së tij në Shqipëri, Rev. Moon sponsorizoi një seri simpoziumesh mbi “Lidershipin dhe Qeverisjen e Mirë” të cilat u organizuan në përudhën 2006 – 2007 si një bashkëpunim midis Federatës së Familjes dhe Federatës së Paqes Universale. Në këto simpoziume kanë marrë pjesë me qindra politikanë, parlamentarë, akademikë, përfaqësues të OJF-ve të ndryshme, përfaqësues të besimeve fetare, rinisë, medias, artit, sportit, të cilët dhe janë emëruar Ambasadorë për Paqe.

Njëkohësisht ka vazhduar puna për të gjetur, edukuar dhe frymëzuar të rinjtë dhe studentët në qytetet kryesore si Tiranë, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Vlorë ku aktualisht FFPBB ka një prezencë mjaft aktive.

Veçanërisht, FFPBB Shqipëri ka mundësuar shkollimin me anë të bursave nga universiteti Sun Myung Moon, në Korenë e Jugut të disa të rinjve nga Shqipëria, duke filluar nga viti 2003. Një projekt tjetër i rëndësishëm ka qene bashkëpunimi i FFPBB Shqipëri me FFPBB Kore e Jugut, të cilët kanë mbështetur trajnime 3 ose 4 mujore për më shumë se 70 të rinj nga Shqipëria për periudhën 2002-2010.

Gjithashtu, në periudhën 2000 – 2010 janë organizuar një sërë aktivitetesh sociale “Shërbimi për Paqen” me pjesëmarrjen e të rinjve nga Shqipëria dhe Evropa për të ndihmuar shtresat në nevojë të shoqërisë. Disa nga këto projekte kanë përfshirë ndihmë për Azilin e Pleqve në Tiranë, Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, Qendrën e fëmijëve me aftësi të kufizuara “Pëllumbat”, fëmijët jetimë të Institutit për Integrimin e Fëmijëve Shqiptarë, Shkollën 9-vjeçare të Gërdecit etj. Projekte pastrimi në qytete të ndryshme të vendit me përfshirjen e studentëve dhe të rinjve të FFPBB janë zhvilluar në Tiranë, Pezë, Elbasan, Vlorë, Korçë, Pogradec, Porto Romano, Shkodër, etj.