Rudina Bardhi

Të dashur bashkëmoshatarë... por jo vetëm ju, përshëndetje edhe për ju të njohurit e mi që sa herë ndeshemi në rrugë më pyesni nëse kam "gjetur një punë".

Sot dua t’ju them që kam kohë që aktivizohem me “Shoqatën Universitare për Studimin e Parimit”, dhe atje kam statusin e një vullnetareje. Deklaroj po ashtu që realisht, materialisht nuk kam përfituar asnjë gjë.

E di, ju shpesh më këshilloni të jem diku ku kam mundësi të "ha bukë" por unë ashtu si me të qeshur e kam anashkaluar (faleminderit babi që ende kujdesesh për mua, jo sepse jam e paaftë, por sepse ti beson tek zgjedhjet e mia).

E kam ndjekur për 4 vite këtë institucion, jo me shpresën për të krijuar hapësirën e një vendi pune sepse duke qenë organizatë e huaj ofron më shumë hapësira punësimi. Por sepse besoj tek ndryshimi, mendoj që të gjithë të rinjtë duhet të jenë pjesë e shoqërisë civile, të institucioneve të ndryshme, e meqë jemi në periudhë zgjedhore edhe në vendimarrjen politike.

Sepse ky mjedis që kam gjetur më ka prezantuar me të rinj shqiptarë pasionantë, kreativë e të mbushur me shpresë për të ardhmen, të cilët kultivojnë mendje dhe zemër publike. Po ju flas për Arnoldin, Lavin, Sildën, Endritin, Arditin, Labinotin e qindra te tjerë… Të rinj vizionarë të cilët punojnë vullnetarisht për një shoqëri të re.

Më ka ndihmuar që të bëhem një qytetare e mirë e qytetit, e kombit tim dhe pse jo, të ndjehem edhe një qytetare globale duke u përshtatur në diversitet kulturash. Çdo ditë shoh përvetësimin e idealeve të forta, jam frymëzuar dhe kam qëndruar akoma edhe më fort kur shoh investim, përkushtim për këto ideale.

Kam mësuar të vizualizoj të ardhmen, një të ardhme më të mirë se e shkuara.

E përsa i përket shprehjes "nuk të jep buke", "gjej një punë" nuk mund të them që jam lodhur së dëgjuari, sepse parashikoj që do më shoqërojë sërish edhe për një periudhë kohore të konsiderueshme.

Punësimi si per mua, por edhe për shumë te rinj është një sfidë që mendoj se herët a vonë do të kalohet.

Ndërkohë dëgjohemi përsëri, kur të kem gjetur një punë!