Plot 125 të rinj nga Shqipëria dhe Kosova iu drejtuan Qendrës së Trajnimit në Mullet në datat 21, 22 dhe 23 prill për të marrë pjesë në seminarin e rradhës të CARP-it. Të frymëzuar nga vizioni i Babait të Vërtetë për rininë vendosëm që këtë seminar ta titullonim “GJEJ QËLLIMIN – NDRYSHO JETËN”.

Seminari u karakterizua nga entuziazmi dhe energjia rinore që vihej në dukje sidomos gjatë këndimit të këngëve. Seminari u koordinua nga Mateo Ziko me asistimin e Bilbil Zharrit dhe u drejtua nga liderat e CARP-it në Elbasan, Durrës dhe Prishtinë përkatësisht Ardit Matraku, Elisjana Mustafaj dhe Labinot Pacolli.

Për të bërë një seminar sa më frytdhënës, si për anëtarët ashtu edhe për të rinjtë, vazhduam të ndjekim modelin e seminareve “GLOBAL TOP GUN”.  Seminaristët u ndanë në dy klane të mëdha, dhe secili klan përbëhej nga 5 familje. Klani me ngjyrë blu u drejtua nga Ardys Sheqi dhe Anila Muçaj, ndërsa klani me ngjyrë të kuqe u drejtua nga Ermela Stena dhe Irida Shkoza.

Leksionet u zhvilluan të ndërthurura mes teorisë dhe praktikës: 45 minuta leksion dhe 20 minuta punë interaktive.

Pjesa më entuziaste e seminarit ishte “Festivali i Sporteve” që u organizua nga stafi i CARP Elbasan. Argëtimi dhe sfidat të cilat mund të kaloheshin vetëm duke punuar në skuadër i bashkuan edhe më shumë seminaristët dhe krijuan një atmosferë miqësore dhe familjare mes tyre.