Me mirënjohje shumë të thellë duam t’ju njoftojmë për aktivitetin më të fundit nga dega e FPU dhe FFPBB në qytetin bregdetar të Durrësit me titull “Roli dhe Misioni i Ambasadorëve të Paqes”.

Në qytetin tonë të bukur e bregdetar ka shumë personalitete të cilët janë emëruar si Ambasadorë të Paqes të cilëve u jemi shumë mirënjohës për punën e tyre në Këshillin Lokal të Durrësit. Hapi tjetër i yni është nxitja e sa më shumë personaliteteve të tjerë duke i bërë pjesë në familjen e madhe të Ambasadorëve për Paqe.

Aktiviteti u mbajt ditën e shtunë më datë 15 Prill 2017, në orën 17.00 tek Klubi i Artit dhe Kulturës SIGAL Durrës.

Programi i këtij aktiviteti me moderator koordinatorin e FFPBB Z. Arjan Haziraj, u hap me një mesazh përshëndetës nga kryetarja e FPU Durrës, Znj. Flutura Kona. Më pas videoja prezantuese mbi Federatën e Paqes Universale në Shqipëri dhe botë, u pasua nga një mesazh zemre prej kryetarit të FPU Shqipëri, Z. Gaqo Apostoli, i cili, me ciltersinë e vet, shprehu mirënjohjen e thellë ndaj themelueseve të FPU-së e jo vetëm, Rev. Son Mjong Mun dhe Znj. Hak Xha Han Mun. Ky mesazh u pasua me thelbin e aktivitetit, shpalosjen e Rolit dhe Misionit te Ambasadorëve të Paqes, trajtuar në mënyrë shumë të thjeshtë dhe goditëse nga presidenti i FFPBB Shqipëri, Z. Gani Rroshi i cili u përqëndrua tek 5 Parimet e FPU-së.

Nuk mund t'i mungonte këtij aktiviteti dhe një program i shkurtër artistik me larmishmëri këngësh nga të  rejat Durrsake, Japoneze dhe Koreane të cilat me zërin e tyre të ëmbël i shtuan ngrohtësinë aktivitetit.

Pjesa e fundit, por jo për nga rëndësia, ishte Ceremonia e Emërimit të Ambasadorëve të rinj për Paqen për qytetin tonë. Me rreth 60 pjesëmarrës, nga ky aktivitet u emëruan 9 Ambasadorë të rinj, të cilët u shprehën shumë pozitivisht dhe mbështetës në ndërtimin e një bote të paqes, të një bote ku kushdo mund të jetojë në liri, harmoni dhe prosperitet të përbashkët.

Jemi thellësisht mirënjohës për këtë hap kaq të madh për qytetin tonë duke shtuar personalitete të këtij qyteti pranë gjirit të FPU-së, ku puna jonë mbetet gur themelor për pasardhësit e këtij qyteti dhe të këtij kombi.