Seminari i Parimit Hyjnor i Nëntorit 2017

Nëntori për shumëkënd është një muaj i mirëpritur e arsyet për këtë janë të shumëllojshme. E gjithashtu dhe për anëtarët e Federatës së Familjes, veçanërisht fundi i nëntorit, është një kohë për të cilën punojmë fort. Jo thjesht për të festuar ditët kur përkujtojmë punën e pamatë të paraardhësve të kombit për pavarësi dhe çlirim të vendit, por gjithashtu dhe për Seminarin e Parimit Hyjnor që mbahet çdo vit në ditët e fundit të nëntorit.

Investimin e figurave të shquara të kombit tonë që punuan palodhur për zhvillimin e Shqipërisë, mundohemi ta përdorim për qëllime të larta dhe në ditët e sotme, e prandaj, këtë vit është vendosur që seminari i fund-nëntorit të jetë 6 ditor. Ai do të mbahet nga pasditja e së premtes së datës 24 nëntor, deri paraditen e datës 29 nëntor, ku seminari përfundon me ceremoninë mbyllëse. Normalisht, si të gjithë aktivitetet e tjera të të tilla përmasave, ky seminar do të mbahet në Qendrën tonë të Seminareve në Mullet, e një pjesë e mirë e anëtarëve dhe të pjesëmarrësve të rregullt në aktivitetet tona, do të rikujtojnë nostalgjitë e aktiviteteve të mëparshme masive në Mullet, ku gjithashtu dhe ti je i mirëpritur të krijosh kujtimet e tua me klanin dhe familjen tënde në seminar.

Këtë vit, pritet që pjesëmarrja në seminar të jetë me rreth 70 persona, e siç është praktika e përhershme e adoptuar nga aktivitete të ngjashme në Korenë e Jugut (nga ku ka origjinën Federata e Familjes dhe themeluesit), pjesëmarrësit do të ndahen në grupe me 5-8 persona, të quajtura familje, por që nga eksperienca mund të themi që përfundimi i seminarit është me lot për ndokënd për shkak se këta pjesëmarrës krijojnë lidhje të forta familjare. Aktivitete të ndryshme si lojëra, performanca artistike, këngë në grup, festivali i sporteve, e ku ndër të tjera, spikasin leksionet nga Parimi Hyjnor, janë duke u finalizuar në organizim nga stafi ynë.
Jeni mëse i mirpëritur të merrni pjesë edhe ju në këtë seminar e mund të regjistroheni duke kontaktuar në një nga degët tona.

2017-12-04T00:15:30+00:00