Është e vështirë të gjesh sot të rinj, që janë të pasionuar për jetën e tyre. Mund të shohim kaq shumë të rinj që, duke mos pasur një synim apo qëllim për jetën e tyre, thjesht enden më kot. Të gjithë udhëheqësit e mëdhenj në histori kanë pasur një qëllim të caktuar në jetë që nga koha kur kanë qenë fëmijë. Që nga fëmijëria ata e kanë ushqyer atë qëllim brenda zemrës dhe kanë vënë në lëvizje një energji të madhe për ta ar­ritur atë. Kanë qenë në gjumë apo duke lozur me shokët, këta lidera të mëdhenj e drejtuan çdo energji rinore drejt përgatitjes së skenës, ku ata do të qëndronin në të ardhmen. A është kjo mënyra si po jetoni edhe ju?
Pak studentë shkojnë në shkollë sepse u pëlqen të studiojnë. Ata, za­konisht, shkojnë sepse u thonë prindërit, por jo se mezi presin të stu­diojnë. Por, ndërsa vazhdojnë të studiojnë, gradualisht mësojnë se si t’iu pëlqejë studimi. Prej këtu, ata fillojnë të studiojnë vetë dhe ta gjejnë vetë rrugën e tyre. Interesi për të mësuar është shenjë e pjekurisë.
Prindërit nuk kanë durimin të presin derisa fëmijët të piqen mjaf­tueshëm sa të studiojnë me dëshirën e tyre. Ata u thonë: “Duhet të stu­diosh. Të lutem, mblidhe mendjen dhe studio”, dhe kështu, i vënë ata nën presion. Prindërit e bëjnë këtë sepse e dinë, që fëmijët duhet të stu­diojnë që të përgatiten për të ardhmen. Ata kanë merak se, nëse fëmijët nuk studiojnë sipas nivelit të përshtatshëm për moshën e tyre, do të jenë të papërgatitur në të ardhmen.
Megjithatë, ekziston diçka më e rëndësishme se studimet, për t’u për­gatitur për të ardhmen. Para se të përqendrohen në mënyrë të pakush­tëzuar në studimet, të rinjtë duhet të kuptojnë se çfarë duan të bëjnë në jetë. Ata duhet të jenë të vendosur ta përdorin talentin për të ndihmuar botën, më shumë se, thjesht, për t’i shërbyer vetes. Shumë të rinj, sot, duket se studiojnë vetëm për interesin e tyre.
Po të mos keni një qëllim në jetë, studimeve tuaja do t’u mungojë pasioni i nevojshëm për lumturinë.
Njëherë u ndesha me një student korean, që punonte shumë për detyrat e anglishtes. E pyeta: “Pse punon kaq shumë për të mësuar an­glisht?”.
Ai u përgjigj: “Që të hyj në universitet”.
A ka gjë më të cekët se kjo? Hyrja në universitet nuk është një qëllim. Universiteti është një vend ku shkohet dhe ku studiohen lëndë të veçan­ta për një objektiv më të gjerë. Ai nuk mund të jetë objektiv në vetvete.

Zgjedhja e punës, a profesionit, që do të bëni nuk duhet të bazohet vetëm në talentet dhe interesat tuaja. Nëse bëheni zjarrfikës, bujk apo një futbollist, kjo është puna juaj. Por, ajo për të cilën e kam fjalën, e tejkalon profesionin tuaj. Çfarë lloj jete do të bëni sikur të ishit futbol­list? Si do të jetonit si bujk? Cili është objektivi juaj në jetë?
Të vendosësh objektivin do të thotë t’i japësh kuptim jetës që do të bësh. Nëse do të bëheni bujk, atëherë duhet të vendosni një objektiv: të provoni metoda të reja kultivimi, të zhvilloni specie më të mira drithi apo të ndihmoni në zhdukjen e urisë. Nëse doni të bëheni futbollist, atëherë vendosni një objektiv me kuptim, si për shembull: lartësimi i imazhit të vendit tuaj në botë, ose ndërtimi i fushave të futbollit, që do të ushqejnë ëndrrat e fëmijëve të privuar ekonomikisht.
Që të bëhesh futbollist i nivelit botëror duhet një punë e pabe­sueshme. Nëse nuk keni një qëllim të përcaktuar në zemër, nuk do të jeni në gjendje të duroni stërvitjet e vështira, që kërkohen për të arritur majën. Vetëm nëse keni një objektiv, ju do të keni fuqi të vazhdoni kur­sin tuaj dhe të bëni një jetë më të mirë nga ata përreth jush.

 

Pjesë e shkëputur nga autobiografia e Rev. Son Mjong Mun, "Si një Qytetar Global Paqedashës"