Themelimi i IAPP në Tiranë

Shoqata Ndërkombëtare e Parlamentarëve për Paqe është një grup konsultativ i përbërë nga parlamentarë nga e gjithë bota. Kjo shoqatë është një projekt i FPU dhe është një rrjet i gjerë dhe divers i parlamentarëve nga e gjithë bota, që kapërcejnë kombësinë, racën, kulturën dhe përkatësinë fetare.

Përgjatë një periudhe 6 mujore, IAPP u lançua në çdo kontinent duke filluar me Azinë dhe Afrikën, e më tej duke u zgjeruar në Europë dhe në Amerikat.

Ndërkohë që në vende të ndryshme të Europës është mbajtur themelimi i Shoqatës Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe, Shqipëria ka qënë e pranishme në disa raste të tilla, si në Londër, e i fundit në Prishtinë, ku u themelua në rang Ballkanik e Shqipëria kishte gjithashtu përfaqësuesit e vet. Shumë shpejt, më datë 25 nëntor, do të themelohet IAPP edhe në Tiranë, e kjo shënon një hap më shumë për Shqipërinë, jo thjesht në rrugën e paqes, por si një shembull në rajon e më gjerë.

Shoqata Ndërkombëtare e Parlamentarëve për Paqe është fruti i lëvizjes ndërkombëtare për paqe që Reverendi Son Mjong Mun dhe dr. Hak Xha Han Mun kanë udhëhequr për më shumë se 50 vite dhe fillimi i një kapitulli të ri të lëvizjes së paqes globale. Tani, ajo që mbetet, është të punojmë drejt kapërcimit të çështjeve kritike që kërcënojnë paqen globale dhe të vendosim një botë të paqes së qëndrueshme.

2017-11-11T17:13:38+00:00