Shkurti është një muaj i rëndësishëm për Qendrën më të re të CARP dhe FFPBB në Shqipëri. Qendra e Tiranës së Re, ka filluar me aktivitetet e saj në datë 11 shkurt të vitit 2015.

Ne dëshironim të festonim përvjetorin e tretë të Qendrës me një gur kilometrik të rëndësishëm, duke bashkëpunuar kështu me një prej universiteteve më me zë në Shqipëri, Universitetin Europian të Tiranës (UET). Edhe pse përvjetori i Tiranës së Re është data 11 shkurt, për arsye praktike ky aktivitet u zhvillua një ditë më vonë në datë 12 shkurt 2018. Eventi bëri bashkë 120 pjesëmarrës, 70 prej të cilëve ishin studentë të UET. Përveç festimeve të përvjetorit, një tjetër qëllim ishte edhe lançimi i Klubit të CARP pranë UET.

Ky event u moderua prej Mikaela Llalla, një vajzë dhe studente e mrekullueshme dhe shumë e vendosur. Ajo është dhe shtylla kryesore e këtij bashkëpunimi midis CARP-it dhe universitetit. Programi i aktivitetit ishte një kombinim i bukur i performancave artistike, këngë dhe kërcim, me lojrat simpatike të përgatitura nga Elona Zefi dhe Eglantina Hoxha si dhe me mesazhet e fuqishme prej drejtueses së CARP-it për Tiranën e Re, znj. Majlinda Ziko e cila i vuri theksin mendësisë publike si një element kyç për një të ardhme më të mirë për shoqërinë dhe kombin tonë, dhe prej koordinatores së të rinjve të UET, znj. Hygerta Aruci e cila është gjithashtu dhe mbështetëse e aktiviteteve të CARP.

Ne ishim shumë të lumtur që pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe Drejtuesi Kombëtar i CARP-it dhe Federatës së Familjes, z. Gani Rroshi i cili përcolli tek pjesëmarrësit një mesazh frymëzues teksa theksoi rëndësinë për tu bërë njerëz me vlera dhe personalitet të drejtë.

Pas fotografive të rastit, të gjithë pjesëmarrësit shijuan koktejlin e përgatitur me shumë dashuri prej stafit të CARP.

Sinqerisht,
Sekretariati i CARP – Tirana e Re