Situata e krijuar prej COVID-19, edhe pse filloi e lokalizuar, nuk është më shqetësim vetëm për një qytet apo një komb. Është një problem botëror që ka ndalur rrjedhën normale të jetës në shumë vende, për miliona njerëz. Ndër ta, me shumë mundësi, je i përfshirë dhe ti. Ne gjithashtu. Të gjitha degët dhe zyrat e Federatës së Familjes dhe organizatave partnere janë mbyllur, por jo çdo gjë është pezulluar.

Falë teknologjisë, me anë të programeve të ndryshme dhe funksionit live video, por veçanërisht, falë vendosmërisë së të rinjve të Federatës së Familjes, degët tona të CARP-it nuk kanë qënë pa aktivitet. Përkundrazi, një numër i konsiderueshëm i të rinjve tanë janë munduar që të vijojnë me aktivitetet duke i transferuar ato online, nga shtëpitë e tyre. Pavarësisht karantinimit, zemra ka nevojë që të rritet dhe nevoja për ta mbushur me të vërtetë, është e madhe, sidomos në këto ditë të vështira. Jemi të lumtur që kemi mundësi të jemi pranë të rinjve duke u sjellë frymëzim, duke i motivuar, duke ua ndryshuar ditën me takimet tona dhe diskutimet sikur të ishim ballë për ballë me njëri-tjetrin, etj.

Ndër aktivitet që degët tona kanë bërë është takimi me temë “Kontrollo Vetveten” nga Besjana Koçi nga Durrësi ditën e mërkurë. Dita e enjte kishte kryefjalë temën “Veprimi sjell Ndryshim”, mbajtur nga Senarda Demaj, e cila gjithashtu na nxiti ta pasurojmë ditën tonë me veprime pozitive për ta pasur më të lehtë vetë-izolimin. Në Kosovë, Qendra e Prishtinës ka pasur vazhdimisht me takime online dhe të rinjtë janë angazhuar lexime të përbashkëta.

Qendra e Korçës më datë 18 mars ka patur 18 vjetorin e themelimit të saj. Ishte një ditë e veçantë për degën e Korçës, që pavarësisht mungesës së mundësisë për t’u mbledhur për ta festuar kolektivisht, në zemrat tona mbetet shpresa që pas gjithë kësaj do jemi më të fortë dhe në të ardhmen t’i shërbejmë më shumë rajonit, kombit dhe botës.
Shkodra, Vlora, Fieri, Elbasani, veç video takimeve të herë pas hershme, po mbajnë të angazhuar të rinjtë me postime motivuese dhe duke qënë në kontakt të vazhdueshëm me ta.

Tirana e Re ju mirepret ditën e mërkurë në orën 16:00 për takimin e rradhës, për t’u kujdesur që java juaj të jetë e mbushur me ngjyra, argëtim dhe motivim dhe gjithashtu degët e tjera janë duke u përgatitur për takimet që do të kemi me të rinjtë përgjatë gjithë kësaj jave, dhe në ditët në vijim.

Vështirësisë e të qëndruarit në karantinë dhe ndryshimit të detyruar të stilit të jetesës, janë të mëdha. Federata e Familjes po mundohet që të kujdeset për shëndetin fizik të anëtarëve dhe pjesëmarrësve në aktivitetet tona, duke qënë shembull në ndjekjen e rregullave të distancimit fizik dhe të kujdesit përsonal, si rasti i videos së mëposhtme të përgatitur nga të rinjtë e CARP Durrës.

Por e rëndësishme është të mos harrojmë thelbin e qënies tonë, zemrën. Federata e Familjes dëshiron që të kujdeset edhe për aspektin tuaj të brendshëm e për këtë me kënaqësi ju ftojmë të na vizitoni online, nga rehatia e shtëpisë tuaj në faqët e degëve tona në Facebook dhe Instagram. E veçanërisht, përtej vështirësive të përditshme dhe mallit që kemi për të takuar personat e afërt të zemrës tonë, le ta marrim këtë kohë si një periudhë qetësie nga vrulli i jetës së përditshme që kemi pasur deri tani. Kanë kaluar rreth 3 javë që kur filluan masat shtrënguese të lëvizjes së lirë, e sado që të zgjasë, le t’i përdorim këto kohë për t’u afruar më shumë me familjarët tanë, për t’u dhënë atyre më shumë dashuri, qoftë dhe nëpërmjet telefonit nëse nuk i keni pranë. Kaloni kohë me fëmijët tuaj dhe rikthehuni në fëmijërinë tuaj ku luanit më çiltërsinë më të madhe. Rilidhuni me një mesazh ose telefonatë me të afërmit tuaj, me kushërinjtë, me miqtë e vjetër, me të gjithë ata që e ke pasur vështirë të gjesh kohën më parë. E përtej të gjithave, le të jetë kjo një periudhë reflektimi për veten tonë për pikën në të cilën jemi në jetë dhe për marrëdhënien tonë me zemrën tonë.