Klaudia Halahula

Që kur lindim, ne gjejmë paqe ne krahët e nënës. Shpesh ne harrojmë që paqja është ajo që do mund të na mbajë fort të lidhur pas njëri-tjetrit. Libri i Reverend Sun Myung Moon, është ai libër që tronditi fort shpirtin dhe mendjen time, duke më bërë të dashurohem sërisht shumë pas paqes që kaq shumë i mungon botës tonë. Ditët që lexova këtë libër, vura re sesa shumë i mungon paqja botës tonë dhe sa pak përpiqemi ne që te dalim nga guaska jonë e komfortit dhe t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, të duam më shumë njëri-tjetrin, të urrejmë më pak të tjerët dhe kombet, fetë e tyre. Nëse është e mundur, të mos urrejmë fare, por të vrapojmë së bashku rreth shtigjeve të dashurisë për vendlindjen, kombet e tjera, Zotin, familjen dhe secili prej nesh të sillet si një Qytetar Global Paqedashës.

Fillimisht, dua te sjell ndërmend nje fragment nga ky libër që më bëri të mendoj që vërtet ne mund të arrijmë dhe realizojmë misionin më sublim dhe domethënës, tê kërkuarit dhe sjellurit paqe mes nesh, : „Zogjtë nuk i urrejnë zogjtë e tjerë. Kafshët nuk i urrejnë kafshët e tjera. Pemët nuk i  urrejnë pemët e tjera. Që tê vijë paqja, duhet të shuhet armiqësia. Qeniet njerëzore janë të vetmit që urrejnë sojin e vet. Njerëzit urrejnë njerëzit e tjerë, sepse vijnë nga kombe të ndryshme, sepse kanë fe të ndryshme, apo sepse kanë mënyre tjetër të menduari.“ Pra, si mundet që ne i lejojmë vetes të humbasim nga rruga e humanitetit dhe të strukemi në rrugica të gabuara, të pergjakura të mllefit, urrejtje dhe dhunës. Ka disa ditë qe mendoj dhe pyetjet „ Pse s’mund të jemi dhe ne si zogjtë, pemët, kafshët? Pse s’e duam dhe ne njëri-tjetrin njëjtë si ata? Pse të rendim nê paragjykime dhe stereotipe ndaj njëri-tjetrit? Pse e bëjmë ketë gjë, kur edhe pse të ndryshëm në fund të ditës jemi të gjithë të njëjtë? „ Dhe përsëri pyetjeve dhe dilemave të mia, përgjigjet gjendeshin në rreshtat e librit.

 

Përpjekjet e pafundme te Reverend Sun Myung Moon për të ndihmuar të tjerët, për t’u shërbyer dhe dhënë ushqim të tjerëve, të arnuarit dhe qepurit rroba për meshkujt e tjerë kur ai i ishte në burg,të ndërhynte dhe reagonte kur ai shihte padrejtësi ndaj të tjerëve, të përpjekurit për të sjellë paqe mes kombeve që konfliktoheshin me njëra-tjetrën, sigurisht që më bëjnë të mendoj se ne nuk përpiqemi shumë, shpeshherë rrimë duarkryq dhe harrojmë detyrat tona njerëzore, harrojmë të sillemi si qytetarë global paqedashës.

Më ka prekur vërtet shumë fakti që Reverend Sun Myung Moon, përdori paratë që i duheshin për tarifën e shkollimit, për të paguar spitalin për një njeri të sëmurë. Ishin shokët e tij që i paguan tarifën e shkollimit më pas. Vepra të tilla të kryera me kaq shumë dashuri, përkujdesje dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit, sigurisht që, për mendimin tim, hedhin themele të forta të elementeve dhe copëzave humane që do mund të bëjnë secilin prej nesh, një Qytetar Global Paqedashës.

Toka është trashëgimi e jona dhe gjallesave të tjera. Është detyrë e jona si Qytetarë Global Paqedashës, te kujdesemi për atë, të shuajmë konfliktet që vijnë si pasojë e racave dhe etnive të ndryshme, feve të ndryshme, politikave të ndryshme. Është e drejtë e jona që të jetojmë në paqe, si edhe është detyrë e jona që të ruajmë dhe krijojmë një botë të paqtë për brezat që do të vijnë pas nesh.

Dua të sjell sërisht ndërmend disa rreshta të tjerë nga libri : „ Plani im ishte që, gjatë udhëtimit rreth botës, të vendosja dheun dhe gurët e Koresë në çdo vend që kishte kuptimin e lidhjes së Koresë me botën.“

Sigurisht që më duhet të pranoj se unë personalisht, nuk dija shumë rreth Koresë dhe njerëzve të saj dhe bukurisë natyrore që ka. Mund të them se dija pak rreth ndarjes ne Kore te Veriut dhe Jugut. Gjithsesi, ky libër më bën të mendoj se Reverend Sun Myung Moon, nëpërmjet librit po vazhdon ta kryejë misionin e tij. Koreja la padyshim mbresa në mendjen time, si edhe përpjekjeve dhe dëshirës së tij për të parë të bashkuar Veriun dhe Jugun, i bashkëngjitem edhe unë dhe çdo lexues tjetër i këtij libri.

Kur ndodhte që lexoja këtë libër në autobuz dhe personat që uleshin pranë meje, nga kureshtja hidhnin sytë në rreshtat e këtij libri, gëzohesha shumë dhe shpresoja që dhe ata të mund të kuptonin dhe reflektonin se sa e vyer është paqja, sesa e rëndësishme është që secili prej nesh të sillet si një Qytetar Global Paqedashës.

 

Të dashurit familjen, Zotin, miqtë, të ndihmuarit të tjerët , të paturit respekt dhe dashuri jo vetëm për kombin tonë, por edhe për kombet e tjera, sigurisht që realizojnë qëllimin dhe misionin tonë për të qenë Qytetarë Global Paqedashës. Mund të them se tani kur mendoj për paqen dhe rëndësinë e saj, ndiej të njëjtin emocion si Reverend Sun Myung Moon. Tani më vjen ndërmend një nga fragmentet më të preferuara të miat,nga ky libër : „Gjithë jetën ia kam dedikuar përpjekjeve për paqen. Sa herë dëgjoj të flitet për paqen, emocionohem. Sytë më mbushen, zëri më dridhet dhe mezi përtypem. Prekem thellë vetëm kur imagjinoj ditën kur bota do të bëhet një dhe do të fillojë t’i gëzohet paqes.“

Mua më trishton fakti që akoma bota nuk është një dhe e paqtë, por gjithashtu më gëzon pafund fakti që unë mund të përpiqem të sjell paqe, te gjithë ne mund të përpiqemi që një ditë të kemi një botë të mbuluar me petkun e paqes.  Më gëzon fakti që ne jemi të aftë të sjellim paqe, të duam njëri-tjetrin dhe të mundohemi për të përmbushur misionin tonë si Qytetarë Global Paqedashës. Është e rëndësishme që ne të rinjtë të jemi aktiv, të jemi ëndërrimtarë dhe të guximshëm për të arritur qëllimet tona për të ardhmen dhe karrierën, sigurisht që pjesë e qëllimeve tona të jetë edhe misioni për të sjellë paqe.

Si përfundim, mund të them se unë kam reflektuar shumë për rëndësinë e paqes, si edhe për te qenë qytetare globale paqedashëse. Të ëndërruarit për një botë paqësore duhet të jetë një ëndërr e secilit prej nesh, përpos kombeve nga të cilët vijmë, përpos besimeve të ndryshme fetare që kemi, përpos çdo ndryshimi dhe vështirësie që hasim. Dua të përmend gjithashtu edhe në fund të kësaj eseje, një frazë të vyer nga libri : „ Bota mund të bashkohet plotësisht vetëm kur të ekzistojnë të dyja: komunikimi fizik dhe komunikimi i zemrës.“

Ndaj, unë si një e re plot ëndrra dhe qëllime në jetë, dua t’ju them që ta duam sa më shumë njëri-tjetrin,“ të heqim dhe grisim perdet“ që urrejtja ka vendosur mbi sytë dhe zemrat tona. Le të sillet secili prej nesh si një Qytetar Global Paqedashës.