W-Carp Elbasan në bashkëpunim me bashkinë e Cërrikut dhe mësuesin e edukimit fizik Erald Shkodrani organizuan ditën e martë datë 21.03.2017 në Cërrik një ndeshje miqësore futbolli midis të rinjve të W-Carp Elbasan dhe K.F Turbina Cërrik.

Qëllimi i kësaj ndeshjeje miqësore ishte të gjeneroheshin të ardhura për të mbështetur familje në nëvoje, kryesisht në bashkinë Cërrik dhe në fshatrat pranë. Në ditën e ndeshjes ishin mbi 200 pjesëmarrës, midis të cilëve mori gjithashtu pjesë dhe kryetari i bashkisë z. Altin Toska. Ndeshja miqësore u nda me rezultatin 3-2 për skuadrën e Turbinës, por sidoqoftë të gjithë pjesëmarrësit ndieheshin mirë për faktin që mund të organizohej një ndeshje me një karakter të tillë sensibilizues. Shumë prej tyre u shprehën që aktivitete të tilla të ketë më shpesh.

Gjithashtu të rinjtë e W-Carp Elbasan së bashku me punonjës të bashkisë Cërrik shpërndanë ditën e premte datë 24.03.2017 ndihmat për 6 familje, për të cilat u mundesuan ushqime bazë, rroba dhe një pjesë të hollash. Sigurisht që edhe ne ndihemi mirë që mundëm sadopak të ndihmonim këto familje në nevojë, shpresojmë që më shumë njerëz të sensibilizohen në ndihmë të njëri-tjetrit.