Të dashur vëllezër dhe motra,

Dëshirojmë të ndajmë me ju raportin e seminarit të CARP-it me titull “Paqja Fillon me Mua”. Ky seminar ishte nën koordinimin e Ajet Bosit dhe si MC Elisjana Mustafaj, Juljan Bradasheshi dhe Besiko Llaha.

Të rinj shqiptarë dhe kosovarë, japonezë dhe koreanë u mblodhën në Qendrën e Seminareve në Mullet nga data 27 deri në datë 29 tetor për të vazhduar traditën e seminareve të CARP-it. Këtë radhë frymëzimi për t’a titulluar këtë seminar “Paqja Fillon me Mua” erdhi nga eventi në “Madison Square” me Nënën e Vërtetë në Amerikë.

Ky seminar ishte shumë i veçantë për arsye të ndryshme. Stafi kryesor ishin përgjithësisht anëtarët që kanë qenë ose janë pjesëmarrës të Programit Kombëtar të Trajnimit, duke përfshirë edhe Prindërit e Klaneve: Dajana Doce, Ermelinda Cufo, Brisilda Azizi dhe Greta Çinarja. Gjithashtu, në këtë seminar kemi pasur për herë të parë një familje të përbërë vetëm me vëllezër dhe motra japonezë, kjo ishte me lehtë për koordinimin e skuadrave, por edhe si nxitëse për familjet e tjera.

Festivali i Lojërave, i organizuar nga një pjesë e liderave të CARP-it nëpër qendra dhe të drejtuara nga Ardit Matraku, janë një pjesë e rendësishme e këtij formati seminaresh. Këtë radhë lojrat, përveç sfidës fizike, ishin menduar më shumë për mesazhin që përcillnin dhe se sa shumë dedikim dhe punë në grup nevojitej. Teksa i shihje të gjithë duke ofruar me siqeritet veten e tyre në lojrat e ndryshme mund të vihej re pastërtia që secili prej pjesëmarrësve kishte. Duke marrë parasysh moshën relativisht të re të tyre, mund të thuhet me plot gojë që kombi ynë ka shpresë dhe që një pjesë e madhe e kësaj shprese mund të marrë formë nga puna që ne mund të bëjmë me ta me Fjalën e Prindërve të Vërtetë.

Nga pjesëmarrësit mund të vihej re interesi që shfaqnin për leksionet edhe shumë prej tyre janë shprehur se gjërat që kishin marrë në këtë seminar i kishin ndihmuar me këshilla praktike se si të gjenin qëllimet e tyre në jetë.