Këtë fundjavë në datat 25 – 26 shkurt,  në Qendrën tonë të Seminareve në Mullet, u mbajt seminari i prindërve me koordinator z Gani Rroshi dhe MC Majlinda Ziko dhe Arjan Haziraj. Si çdo seminar dhe ky kishte surprizat, sfidat dhe veçantinë e vet.

Surpriza me e madhe ishin vetë 45 pjesëmarrësit. Ndër këta pjesëmarrës përveç prindërve të anëtarëve ishin dhe çiftet që kishin marrë pjesë në ceremoni bekimi që kemi organizuar herë pas here. Ishte kaq e natyrshme të flisje me ta për zemrën prindërore të Prindit Qiellor.

Sfida e seminarit ka qenë stafi i limituar, por anëtarët pjesëmarrës kanë dhënë më të mirën e tyre për mbarëvajtjen e seminarit.

Veçantia lidhej më tepër me programin dhe korrektësinë që prindërit kishin ndaj çdo detaji. Në këtë seminar u prezantuan 5 tema. Ditën e parë leksionet u dhanë nga Manjola Vasmatic dhe Rev. Shin. Pjesë e programit të ditës së parë ishte dhe “Një kafe me prindërit”. Të gjithë shkuam tek një lokal jo shumë larg Mulletit, dhe midis të tjerave, ishte kaq bukur të shikoje marrëdhënien prind – fëmijë që përcillte aq shumë qetësi në një natyrë të qetë. Në darke vazhduam me programin artistik. Pjesë kryesore e këtij programi ishin mesazhet që buronin nga zemra e fëmijëve ndaj prindërve, humor dhe valle. I gjithë programi artistik u shoqërua dhe me ëmbëlsira dhe pije të servirura në mënyrë profesionale nga stafi i shkëlqyer i kuzhinës që drejtohej nga xhaxhi Bllazhe.

Dita e dytë nisi me shumë gëzim. Ushtrime dhe këshilla për të qenë sa më të shëndetshëm. Dhe në këtë mënyrë ishim gati për të vazhduar me 2 leksionet e radhës të prezantuara nga lideri kombëtar z Gani Rroshi. Ai foli rreth jetës së Prindërve të Vërtetë. Pjesëmarrësit shpreheshin herë pas herë që Shqipërisë duhet t’i shtohen njerëz si Prindërit e Vërtetë. Në këtë seminar,  prindërve u dha gjithashtu edhe titulli “Ambasador për Paqe”. Kryetari i Federatës së Paqes Universale z. Gaqo Apostoli përshëndeti këtë herë pjesëmarrësit duke u shprehur shumë krenar për faktin që është pjesë e familjes së madhe të Prindërve të Vërtetë. Ai inkurajoi prindërit të vazhdojnë të marrin pjesë në aktivitet tona. Ceremonia e dhënies së titullit Ambasador për Paqen ishte shumë emocionuese pasi aty shihje lotët e sinqertë të prindërve, që nëpërmjet këtij seminari kuptuan më shumë vizionin e lëvizjes sonë dhe na sugjeruan që të mbanim më tepër seminare të tilla. Urojmë që bekime të pafundme të marrin të gjithë pjesëmarrësit.