Mirilda Tili Kobatake

Nuk them asgjë të re nëse them se krimi ndaj gjinisë femërore, në të gjitha format dhe shfaqjet e tij, është bërë i frikshëm. Thuajse nuk ka ditë, që të paktën një kronikë televizive, një artikull në gazetë apo një lajm në portale të ndryshme të mos kenë lidhje me dhunën ndaj gjinisë femërore—dhunë në të gjitha llojet e saj, psikologjike, fizike, verbale, deri tek shitja si plaçkë e femrave.

Puna që bëhet në vend për përmirësimin e gjendjes së gruas duhet vlerësuar, por sërish seminaret e thirrjet për barazi gjinore apo kuotat për përfshirjen e grave në pozicione drejtuese, as nuk e kanë ndalur e as e kanë ulur krimin ndaj grave.

Këtu fillon dhe beteja e lëvizjeve feministe.

A është e gabuar lëvizja feministe? Historia e betejave për përfaqësim më të lartë, barazi, respekt dhe dinjitet për femrat, por edhe përvoja e moshës më kanë bërë të mendoj se po— nëse do të reflektonim shpesh lëvizjet feministe janë pikërisht realizimi i dëshirës së atyre që kërkojnë mosemancipimin e femrës.

Barazinë mes femrave dhe meshkujve e kemi kuptuar, shpesh, vetëm si veshje e përparëses në kuzhinë nga bashkëshortët, shtyrjen e karrocës apo ndërrimin e pelenave të fëmijës dhe, sigurisht, një përfaqësim më të madh të gruas në pozicione vendim-marrëse.

Po a është vetëm kaq ajo që duam? Nëse bashkëshortët ndihmojnë në shtëpi, kjo nuk do të thotë se po na respektojnë apo se janë shumë të sjellshëm. Jo, ata thjesht po bëjnë atë që kanë për detyrë të bëjnë. Sepse kur ne kërkojmë emancipimin e gruas (fjalë që mua më vret veshët e nuk më jep asnjë mesazh) ne, në të vërtetë, po kërkojmë mbarëvajtjen e familjes.

Tashmë, nuk do të kemi një përplasje mes burrit dhe gruas se kujt do t’i dëgjohet fjala, por do kemi një kërkesë të fortë si do të zhvillohet familja e mirëqenia e saj. Të familjes ku mësojmë besnikërinë birnore, dashurinë vëlla-motër, burrë-grua, prind-fëmijë. Në këtë lloj përpjekje të vazhdueshme për të pasur familje të lumtura, barazia, që e kërkojmë gati dhunshëm, do të vijë natyrshëm.

Ne, femrat, shpesh herë, kur ngremë zërin për të kërkuar të drejtat tona, duket sikur, në fakt, duam të shkelim meshkujt me këmbë. Në ajër ne shpesh përcjellim mesazhin dhe energjinë se duam të hakmerremi për të gjitha mëritë dhe mëkatet që kanë ndodhur përgjatë gjithë historisë së njerëzimit.

Unë besoj se nuk duhet të kemi më feminizëm, por familjarizëm. Vetëm duke kërkuar përmbushjen e këtij ideali, ne, natyrshëm, kemi zgjidhur edhe çështjet e barazisë dhe mbarëvajtjes shoqërore. Sepse tashmë e dimë se familja është modeli mbi të cilën funksionon e gjithë shoqëria.