Mirilda Tili Kobatake

A ju ka ndodhur që të lexoni një artikull, libër a revistë dhe të filloni të reagoni? Po po, të reagoni. Në varësi të asaj që keni përjetuar, ka qenë edhe reagimi. Personalisht për herë të parë më ndodhi që të reflektoja dhe në të njëjtën kohë të acarohesha me një artikull të titulluar, “nënat muslimane rritin djem dështakë”. Të them të drejtën që nga titulli pata dëshirën  të mos e lexoja fare atë artikull, por nga ana tjetër nuk më linte rehat pyetja: Kush i rrit fëmijët dështakë? Ose më keq akoma, pse bëhen njerëzit dështakë? Dhe kur flas për dështimin, nuk e kam fjalën për ata që ngelin në ndonjë lëndë apo për ata që nuk punojnë në banka, apo mjekë apo që nuk kanë karrierra të mirë paguara. Për mua dështakë, janë ata njerëz që dorëzohen lehtë dhe nuk marrin përgjegjësi për mendimet dhe vemprimet e tyre, e kam fjalën për ata njerëz që para se të venë trurin  e tyre në punë e kërkojnë çdo gjë gati nga të tjerët. Dhe kur nuk ju realizohet kjo, bëhen agresivë, të dhunshëm, apo edhe të plogësht dhe njerëz që ankohen se ja u ka fajin bota dhe asnjëherë nuk janë fajtorë vetë.

Për këta lloj dështakësh, nuk mendoj se është faji i nënave muslimane. Por një të vërtetë e kishte dhe ai artikull. Nënat janë fajtore për dështimin e fëmijëve të tyre dhe për këtë nuk  kanë nevojë të jenë pjesë e një religjioni të caktuar. Nënat dhe ato jo të vetme, por së bashku me baballarët, janë autorët e parë të dështimit të fëmijëve të tyre. Si e tillë, nuk duhet të mbulohemi pas gishtit dhe ta pasojmë përgjegjësinë nga njëri tek tjetri, sepse kjo është mënyra e parë se si ne injektojmë dështimin tek fëmijët tanë.

Për sa kohë që ne, po vetë ne, prindërit e tyre, luajme tenis me përgjegjësitë tona, ne jemi duke ju dhënë  mesazhin e qartë fëmijëve, që të mos mbash përgjegjësi është normale. Dhe si të tillë ne e dizeniuam një fëmijë dështak, që kur të rritet do të jetë një njeri që do të ankohet, përkëdhelet si dhe të shprehet mosmirënjohës. Dhe për këtë lloj rritje nuk ke nevoje të jesh muslimane, as e krishtere apo budiste. Ke nevojë të jesh nënë, të kuptosh përgjegjësitë, detyrat dhe gëzimet e tua. Ke nevojë të jesh një njeri që çdo gjë që merr përsipër ta çosh në fund me kokën lart. Edhe pse rrugëtimi ka vështirësi apo edhe dështime, është e rëndësishme që fëmijëve tanë t’ju mësojmë të mos dorëzohen, por të investojnë energji dhe mirënjohje në ato që kanë dhe ato që duhet të arrijnë. Ndaj, nëse duhet të kritikojmë dikë, se ka  dhënë një kontribut negativ në shoqëri, së pari duhet të skanojmë veten tonë dhe prindërit tanë, në mënyrë të tillë që fëmijët tanë të shohin tek ne të gabueshmit që përpiqen për të bërë më të mirën. Kështu nuk do të kemi dështakë, por njerëz të lumtur, që në  çdo gjë që bëjnë japin më të mirën. Dhe kryesorja, marrin përgjegjësi për veten dhe mjedisin rreth tyre.