Elisjana Mustafaj

Unë jam një nga ata njerëz që vazhdimisht e gjej veten duke u takuar me njerëz që kanë shumë nevojë për t’u shëruar. Kjo më ndodhte aq shpesh saqë fillova të pyesja veten pse ndodhte një gjë e tillë, kur unë vetë kisha nevojë të shërohesha nga shumë gjëra.

“Nuk mund t’i shëroj!” I thosha Zotit. “Mos i sill më tek unë. Ke gjetur personin e gabuar.”

Duke u rritur, dëgjoja babain Mun teksa fliste për fuqinë e dashurisë dhe botën e zemrës, kështu që mendova se e kuptova mënyrën më të mirë për të ndihmuar njerëzit.

“Mendimi i Unifikimit është një filozofi e zemrës. Filozofia e zemrës do të thotë që ka të bëjë me njerëzit. Vetëm duke u lidhur me njerëzit mund t’i zgjidhësh problemet e tyre; duke i lidhur vetëm me ideologjinë ose me Parimin Hyjnor nuk do t’ua zgjidhë atyre problemet.  Kjo na tregon realitetin e mrekullueshëm që Zoti është një Zot personal. Duke qënë kështu, Zoti nuk mund të ekzistojë pa një partner dashurie. Arsyeja se pse një Zot i tillë krijoi qëniet njerëzore ishte sepse Ai kishte nevojë për partnerë objekt për dashurinë e Tij” – Babai Mun, shkëputur nga Cham Bumo Gyeong, Kap. 9, faqje 976, seksioni 21

Babai Mun ishte duke folur qartë për aftësinë e dhënë nga Zoti për të dashur të tjerët dhe për fuqinë që mund të ndeshet kur do qëllimisht. Por unë nuk e dëgjoja.

Për vite me radhë kam besuar se vetëm njerëzit e shëndetshëm mund të ndihmojnë të tjerët të shërohen. Ndërsa rritesha, e hodha poshtë këtë ide dhe vendosa që vetëm ata që kanë kaluar nëpër rrugë të vështira mund të lidhen me të tjerë që janë duke kaluar nëpër të njëjtën rrugë dhe ata janë personat më të përshtatshëm për t’u kërkuar ndihmë. Por as kjo nuk funksionoi.

Cila është përgjigja atëherë? Pyesja veten.

Kam një shoqe të vjetër që ka kaluar nëpër shumë vështirësi.  Asnjëherë nuk e kisha ndjerë veten të aftë për ta ndihmuar ashtu siç kishte nevojë; isha shumë e paduruar, shumë egoiste, kisha shumë nevojë të ndihmoja veten time. Kështu që një ditë u regjistrova në një terapi shpirtërore duke shpresuar që folësi të thoshte diçka që do ta ndihmonte dhe do t’i jepte asaj atë që i duhej për të mbledhur copëzat dhe t’ia niste sërish nga fillimi.

U ula edhe po lija mendimet e mia të fluturonin, duke menduar që isha atje për hir të saj, jo për vete, deri sa dëgjova, “Unë jam përgjegjës për gjithçka që ka ndodhur dhe do të ndodhë në botë”. Akoma nuk jam e sigurt pse, por u kapa fort pas karriges që isha ulur dhe hapa sytë për të dëgjuar me vëmëndje.

Ai tha,- “Ho’oponopono”. 

“Çfarë…?” I shtrembërova vetullat edhe po mundohesha të dëgjoja më mirë, dhe për habinë time, mora përgjigjen që – pa e egzagjeruar- kisha kërkuar për shumë kohë. Folësi vazhdoi të shpjegojë konceptin e Ho’oponopono- s, praktika e lashtë hauaiane që përdorej për pajtim edhe falje, që do të thotë: Unë jam përgjegjëgjëse për gjithçka që ndodh në botë prandaj, vetëm duke shëruar veten mund të shëroj botën. Në atë moment ndërmend më erdhi kënga e Michael Jackson, “Man In the Mirror”. 

Vjen me një formulë shumë të thjeshtë:

  1. Thuaj që të vjen keq
  2. Kërko falje
  3. Thuaj “Faleminderit”
  4. Thuaj “Të dua”

Në këtë ushtrim praktik, kjo formulë rezononte me fjalët e Babait Mun, dhe ndjeva dy gjëra të mrekullueshme: e para, më në fund kuptova ato që Babai Mun thoshte, dhe e dyta, të doja veten ishte një gjë mund ta bëja pa problem!

Por, muaj pas kësaj ndodhie, kur isha ulur në dhomën time dhe po e provoja ta bëja, vura re që emocionalisht isha e ndrydhur.

Ulur në krevatin tim përballë murit me fotot e njerëzve të mi të dashur, u fokusova tek shoqja ime dhe përsërita qetësisht formulën me katër hapa, pa specifikuar asgjë. Sytë e mi u mbyllën natyrshëm. Shumë shpejt, truri im zgjodhi një temë që mua më vinte shumë keq, zgjedhjet që kisha bërë për sa i përket dashurisë, dhe fillova të thoja formulën sërish por vetes sime dhe këtë herë me fjali të plota:

“Më vjen keq që isha shumë egoiste dhe që u kujdesa aq pak për zemrën tënde.”

“Më fal që nuk të kam kushtuar vëmëndje mjaftueshëm dhe të lashë pas dore.”

“Faleminderit që gjithmonë përpiqesh që të më mbështesësh, veçanërisht kur kisha vështirësi.”

“Të dua, të dua, do të të dua përgjithmonë.”

Kujtova çdo moment që kisha marrë një vendim të pakujdesshëm, një zgjedhje egoiste, të papjekur dhe shpejt e gjeta veten të thyer nga dhimbja duke qarë e penduar ndaj vetes sime. Asnjëherë nuk i kisha kërkuar falje vetes. Nuk kisha patur asnjëherë arsye për të menduar se ishte diçka që duhet ta bëja. Mendoja, Jeta ndodh, pse duhet të kërkoj falje? E hodha shpejtë atë mantra jashtë dhe adoptova këtë të renë.

Tani, çdo natë, kujtoj jetën time dhe e them formulën me katër hapa për një njeri tjetër të dashur. Kam vënë re që ata janë më të lumtur, më pak të mërzitur dhe më të hapur. Edhe unë, gjithashtu jam më e lumtur, fokusohem më lehtë në gëzimet e jetës, dhe më e aftë për t’i dhënë jetës sime formën që dua. Është një udhëtim i mrekullueshëm.

Është vërtetë dhurata më e madhe që mund t’ia bëjmë botës sonë, e cila, tani është e mbushur plot me urrejtje dhe dhunë: shëroj veten time, shëroj botën. Kështu po të sfidoj , “A do të Ho’oponopono- sh ti?”

 

 

Përktheu: Elisjana Mustafaj

Burimi: DPLife